Grabitja në Rinas, AAC: Në testimin e sigurisë konstatuam defekte

04/07/2016 00:00

Autoriteti i Aviacionit Civil ka dalë me një deklaratë në lidhje grabitjen e pak ditëve më parë në aeroportin e Rinasit.

Në reagimin e tij, AAC vlerëson se ngjarja që ndodhi pak ditë më parë në aeroport ishte shumë e rëndë dhe me të nuk duhet të spekulohet.

“Serioziteti i kësaj ngjarjeje nuk duhet të lejojë askënd të bëjë deklarata të nxituara”, thuhet në deklaratë.

Në këtë dokument bëhet me dije se, në bashkëpunim me policinë AAC ka bërë një testim të fshehtë të sigurisë në aeroport më 20 prill.

“Në testim janë evidentuar dështime në zbatimin e 3 masave të sigurisë nga TIA. Ndaj në raportin tonë kemi rekomanduar veprimet detyruese për korrigjimin e konstatimeve”, vijon deklarata për shtyp.

Në të saktësohet më tej se, pas hetimeve nga organet kompetente raporti do t’i dorëzohet Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Ekonomisë dhe Turizmit për ta vlerësuar atë, kundrejt edhe detyrimeve të kontratës konçesionare.

Top Channel