Itali, sekuestrohen 25 kg kokainë, në pranga 5 shqiptarë

04/07/2016 00:00

Një sasi e konsiderueshme droge është kapur në qytetin e Torinos në një operacion të vetëm të policisë lokale: 25 kilogramë kokainë e pastër dhe 35 kg lëndë përzierjeje që në treg do të kapnin vlerën rreth 1 milion euro.

Agjentët kanë arrestuar 5 shtetas shqiptarë, mes të cilëve një emër i njohur nga drejtësia italiane: Saimir Serjani, i cili qe kapur që në maj të këtij viti në një automjet ku ishin fshehur 600 gramë kokainë.

Më pas në banesën e tij u gjetën 100 mijë euro dhe një pajisje për numërimin e kartëmonedhave, gjë që shtoi dyshimet e policisë. Por elementi që çoi në zbulimin e drogës qe një tufë çelësash.

Për javë të tëra policët kanë provuar çelësat në dhjetëra dyer në zonat ku qarkullonte Saimir Serjani, derisa kanë arritur në laboratorin e drogës në katin e dytë të një pallati.

Atje, përveç kokainës janë gjetur peshore, presa, sita dhe 35 kilogramë prokainë, një substancë përzjerjeje. Bëhet fjalë për një lëndë helmuese me pasoja të rënda shëndetësore tek personat që e përdorin.

Top Channel