Samiti i Parisit, Klosi në Forumin e Rinisë: Më shumë komunikim mes të rinjve në rajon

04/07/2016 00:00

Në kuadër të Samitit të Parisit u mbajt në kryeqytetin francez Forumi për Rininë, me pjesëmarrjen e ministrave të Ballkanit, atij francez të Rinisë dhe drejtuesve të lartë të BE-së.

Forumi në fjalë do të finalozohet me nënshkrimin e marrëveshjes mes 6 vendeve të rajonit për ngritjen e Zyrës Rajonale Rinore, me seli në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij në këtë forum, ministri shqiptar Blendi Klosi e vuri theksin tek ajo që vendet e Ballkanit duhet t’u ofrojnë sot të rinjve, për të rritur kanalet e komunikimit mes tyre. “Duke rritur komunikimin me të rinjtë, ne ulim paragjykimet, steriotipet dhe diferencat”, deklaroi Klosi.

Ai u shpreh se rinia ballkanase ka nevojë të njohë dhe komunikojë më shumë dhe nënvizoi se, ky bashkëpunim që do të finalizohet në këtë samit do t’i shërbejë një bashkjetese më të mirë mes popullsive të rajonit.

“Duke njohur më shumë njëri-tjetrin i largohemi më shumë paragjykime të së shkuarës për njëri-tjetrin. Duhet t’i dëshmojmë Europës se ne dimë të bashkëpunojmë dhe bashkjetojmë në paqe dhe prosperitet”, shtoi Klosi.

Top Channel