Festivali i muzikës së vjetër “Vox Baroque” ka çelur siparin e edicionit të tretë të tij, këtë vit nga qyteti i Korçës, me një koncert të veçantë mbajtur tek “Hani i Elbasanit”, në pazarin e vjetër të këtij qyteti.

Ndërthurja e ambientit të Hanit të Elbasanit me muzikën e vjetër ka sjellë një atmosferë të veçantë për ata që kanë preferuar të ndjekin festivalin ndërsa, ministrja Mirela Kumbaro e ka konsideruar atë si një event të rëndësishëm, i cili promovon vlerat e trashëgimisë kulturore.

“Kjo është një strategji e Ministrisë së Kulturës që në kalendarin artistik të vitit ku mbështeten rreth 80 projekte në vit përdoren jo rrallë që nga anfiteatrot, kishat apo sheshet e qyteteve, sepse është një mënyrë jo vetëm për të delokalizuar aktivitetet nga Tirana, por edhe për të shkuar drejt asaj që ne e kemi quajtur rijetëzim i trashëgimisë kulturore”, shprehet ministrja Kumbaro.

“Vox Baroque” i kushtohet tërësisht repertorit barok, me synimin që të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, ndërsa do të vijojë edhe në qytete të tjera.

Top Channel