Grabitja, reagon Nishani: Të gjithë të ushtrojnë kompetencat e tyre

04/07/2016 00:00

Pas deklaratave të bëra në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku u kërkua edhe prononcimi i presidentit lidhur me ngjarjen e rëndë në Aeroportin “Nënë Tereza”, ka reaguar dhe institucioni i Presidencës, që thekson se kreu i shtetit dënon rëndë këtë ngjarje.

Por në këtë situatë, Presidenti i Republikës gjykon se përballimi i ngjarjeve të tilla kërkon ushtrimin e kompetencave nga gjithësecili, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë, i cili ka të gjithë instrumentet dhe mekanizmat e duhur në dispozicion të tij për kontrollin, hetimin dhe vlerësimin, e mbi të gjitha institucionet që përgjigjen përpara Parlamentit.

“Ky rast tregoi se, sa rrezikshmëri dhe kufizim të ushtrimit të pushtetit ka krijuar heqja e një sërë kompetencash kushtetuese të Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në situatat e kërcënimeve të sigurisë kombëtare. Çdo përpjekje për të minimizuar apo devijuar kompetencat kushtetuese të gjithësecilit nga këto organe do të sillte pasoja të pariparueshme për stabilitetin dhe ruajtjen e sigurisë në vend”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Reagimi mbyllet me kërkesën e kreut të shtetit për zbulimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë të të gjithë përgjegjësve, dhe çeshtja më e rëndësishme, rritjen e masave të sigurisë në standardin që i takon një vendi anëtar të NATO-s.

Top Channel