Grabitësit e bankave, të njëjtë? Çështjet kalojnë te Krimet e Rënda

04/07/2016 00:00

Dyshimet se personat, që realizuan grabitjen e një sasie të konsiderueshme valute në pistën e Aeroportit të Rinasit, janë të njëjtët me ata që realizuan edhe grabitjen e një tjetër autoblindi, që transportonte 3.5 milionë euro në zonën e Kasharit në dhjetor të vitit të kaluar, është arsyeja e përfshirjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ta hetuar rastin në kuadër të organizatës së strukturuar kriminale.

Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë shprehur për Top Channel se mënyra, organizimi dhe zona janë të përbashkëta mes dy grabitjeve në fjalë dhe që hedhin dyshime të forta, se mund të bëhet fjalë për të njëjtin grup.

Edhe mënyra e largimit dhe humbja e gjurmëve janë shumë të ngjashme mes dy grabitjeve, çfarë shton edhe më shumë dyshimet se mund të kemi të bëjmë me të njëjtët persona. Për këtë arsye, prokuroria ka nisur edhe kryerjen e disa veprimeve speciale hetimore, pa deklaruar ende identitetin e personave të dyshuar, rezultatet e të cilave do të përcaktojnë më pas edhe fatin e hetimit.

Top Channel