Kosovë, Kuçi: Institucionet e drejtësisë s’japin llogari. Shfrytëzoni mekanizmat

04/07/2016 00:00

Ligji Antimafia, mandati i EULEX-it dhe ndryshimet në Kodin Penal ishin temat, për të cilat anëtarët e Komisionit parlamentar për Integrimin Europian në Kosovë kanë kërkuar të dinë për proceset që kanë mbetur, duke thirrur për raportim ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi.

Bislim Zogaj, anëtar i këtij komisioni, ka kërkuar të dijë nga ministri i Drejtësisë, nëse  duhet të japin përgjegjësi përfaqësuesit e misionit të EULEX-it në rastet kur mbyllen hetimet, e të cilat fillimisht janë bërë pa argumente.

Ndërsa Kuçi tha se asnjë institucion i drejtësisë nuk jep llogari, por brenda tyre ka mekanizma që mund të shfrytëzohen nga qytetarët.

Gjatë raportimit, Kuçi ka bërë të ditur se përmbaruesit privat janë nën monitorim dhe se, në momentin  që vërtetohet që ka bërë shkelje, do t’u merret licenca. Ai tha gjithashtu se të gjitha ndryshimet e ligjeve do të bëhet konform rregullave të Bashkimit Europian.

Ndërsa sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, Kuçi tha se janë disa çështje që janë vërejtur, e që mendon se duhet të plotësohen.

Top Channel