Kosovë, Tërnava uron Fitër Bajramin: Festë e paqes, e sakrificës dhe unitetit

04/07/2016 00:00

Me mesazh urimi, myftiu i Kosovës Naim Tërnava i është drejtuar opinionit të gjerë me rastin e përfundimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit dhe kremtimit të festës së Fitër Bajramit.

Ai ka thënë se gjatë kësaj feste, nëpër familjet e Kosovës duhet të përhapet ndjenja e vëllazërisë, mirësisë dhe dashurisë me njërin-tjetrin, duke uruar e kremtuar këtë festë. Tërnava bëri thirrje për të ndjekur traditat, përmes të cilave ai tha se shprehim bujarinë dhe sinqeritetin me njëri-tjetrin.

“Është festa e sakrificës, e devotshmërisë, bamirësisë, solidaritetit, unitetit e bashkimit dhe mirësisë. Gëzim, lumturi, bashkim, urtësi, paqe sjellë për të gjithë myslimanët kjo festë e Fitër Bajramit, duke festuar në hatër se kjo festë na çliroi nga ndjenja e hezitimit, e dobësisë, e vuajtjes, dyshimit, duke forcuar besimin tonë në Zotin Krijues…Nëpër familjet e Kosovës edhe gjatë kësaj feste të përhapim ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e dashurisë me njëri tjetrin, të kemi shëndet, harmoni e lumturi. Urimet me njëri tjetrin, vizitat nëpër familjet tona, janë tradita që duhet ndjekur për të shprehur vëllazërinë, bujarinë e sinqeritetin me njëri tjetrin, për të uruar dhe gëzuar kësaj feste kaq të rëndësishme”, tha Tërnava.

Në urimin e tij për këtë festë, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës ka kujtuar fëmijë e familjarë, të cilët për shkak të luftërave janë të privuar nga kremtimit i kësaj feste. Myftiu Tërnava bëri thirrje për paqe dhe për ndërtimin e një të ardhmeje sa më të mirë për të gjithë.

Tërnava tha më tej se kjo festë na rikujton kujdesin e vazhdueshëm që duhet të kemi edhe në këto momente festive për të varfërit, të sëmurët dhe të gjithë ata që janë në nevojë. Urimi i kreut të BIK-ut vjen një ditë përpara se myslimanët në të gjithë botën të kremtojnë gjatë së martës festën e Fitër Bajramit, që shënon përfundimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Top Channel