Turi i Francës, Sagan fiton etapën e dytë. Vesh fanellën e verdhë

04/07/2016 00:00

Peter Sagan është fituesi i etapës së dytë të Turit të Francës, Saint-Lo / Cherbourg-en-Cotentin. Kampioni i botës i skuadrës “Tinkoff Team” triumfoi në këtë tur çiklistik falë një sprinti më të mirë në metrat e fundit të këtij itinerari, të cilin e mbylli me kohën 4 orë 20 minuta e 51 sekonda.

Në vendin e dytë u rendit francezi Julian Alaphilippe i skuadrës “Quick Step”, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua spanjolli Alejandro Valverde i skuadrës “Movistar”, duke lënë pas irlandezin Daniel Martin. Kampioni në fuqi i Turit të Francës, Christopher Froome i “Team Sky” u rendit në vendin e 10.

Ai që pati probleme në këtë etapë ishte Alberto Contador, një prej pretendentëve për të fituar këtë edicion të Turit të Francës. Çiklisti madrilen u përfshi në një rrëzim të dytë, pas atij në etapën e parë, duke humbur 48 sekonda kundrejt Sagan.

Pas kësaj etape të dytë, renditja e përgjithshme e Turit të Francës kryesohet nga sllovaku Sagan me 8 orë 34 minuta e 42 sekonda, i ndjekur nga Alaphilippe pme 8 sekonda më shumë, ndërsa i treti është Valverde me 10 sekonda më shumë se Sagan.

Top Channel