Gjysmëfinalet e “Euro2016”, trajneri i Uellsit nuk i trembet Portugalisë

04/07/2016 00:00

Uellsi nuk i trembet aspak Portugalisë për ndeshjen gjysmëfinale të “Euro 2016”, edhe pse kësaj skuadre do t’i mungojë një futbollist kyç si Aaron Ramsey. Vet trajneri Coleman ka lëshuar këtë mesazh në prag të përballjes me luzitanët, që do të luhet mbrëmjen e së mërkurës.

“Është një territor i ri, – tha Coleman. – Ti mund të verbërohesh nga dritat dhe më pas të kthehesh pas nga ke ardhur, ose të besosh te vetvetja dhe të luftosh për identitetin tënd. Kalon shumë kohë duke menduar më shumë për atë që nuk dëshiron që të ndodhë, sesa të përqendrohesh tek ajo që dëshiron vërtet. Mesazhi është të mos kemi frikë, nuk kemi asnjë arsye për këtë”.

Dilema më e madhe e Coleman është zëvendësimi i Ramsey, i cili në ndeshjet e luajtura me Uellsin ka arritur të shënojë një gol dhe të japë 4 asiste. Në të njëjtën kohë, ai nuk do të ketë as qendërmbrojtësin Ben Davies, pasi ky ashtu si dhe Ramsey janë të skualifikuar.

Por Coleman theksoi se forca e grupit do të bëjë që të mos ndihet mungesa e këtyre lojtarëve. Megjithatë, Uellsi ka edhe një tjetër “armë” në favor dhe ai është Gareth Bale, që do të ketë një sfidë të veçantë me Cristiano Ronaldon, shokun e tij të skuadrës te Reali i Madridit. Një përballje që ka vëmendjen e të gjithë botës.

Coleman theksoi se një përqëndrim i vëmendjes vetëm te Ronaldo do të ishte diçka jo shumë pozitive për skuadrën e tij. Kjo, sepse 31-vjeçari është gjithnjë i aftë që të ndryshojë lojën, në çdo moment.

Top Channel