Qeveria greke ka marrë vendim të legalizojë disa xhami gjysmë të ligjshme në Athinë, për të ndaluar qindra të tjera që funksionojnë në mënyrë ilegale, pa standarde dhe pa kontroll sigurie, duke krijuar probleme si për myslimanët, edhe për ata që jetojnë afër tyre.

Lajmi publikohet nga gazeta “Proto thema”, sipas së cilës kryeministri Tsipras ka pohuar ditët e fundit gjatë një vizite në Strasburg se, qeveria e tij ka dhënë leje për 3 xhami në Athinë, një në Tebë dhe leje për ndërtimin e një varreze myslimanësh në 20 parcela të dhuruara nga Kisha greke, duke plotësuar një kërkesë të hershme të komunitetit mysliman.

Athina ishte kryeqyteti i vetëm në Europë që nuk kishte një objekt kulti për më shumë se 300 mijë myslimanë që jetojnë atje, ndërsa kërkesa për ndërtimin e një xhamie është bërë për herë të parë në vitin 1940.

Vitet e fundit fuknsiononin shumë vende lutjeje në mënyrë ilegale, pa kushte sigurie, ajrimi, në ndërtesa të braktisura dhe parkingje, ndërsa pas vitit 2013 kanë funksionuar në mënyrë gjysmë të ligjshme 3 xhami në kryeqytet, por përsëri në to nuk mund të shkonte çdokush prej myslimanëve që banonin në Greqi.

Sipas qarkores së Ministrisë së Arsimit, për hapjen dhe funksionimin e kulteve të lutjes kërkohen një sërë kushtesh higjienike, parametra për sigurinë e besimtarëve, numrin e tyre, biografia e imamit bashkë me studimet që ka bërë, si dhe leja e tij e qëndrimit nëse është i huaj; numri i regjistrimit tek organi i Tatim-Taksave, por edhe respektimi i rregullave për ndotjen akustike.

Top Channel