Sulmi terrorist në Bangladesh, identifikohen 5 nga agresorët

04/07/2016 00:00

Autoritetet e Bangladeshit kanë identifikuar 5 nga agresorët, të cilët ndërmorën të premten një prej sulmeve më të rënda terroriste në vend. Siç mësohet, ata ishin të njohur për policinë.

Plot 20 pengje, shumica prej të cilëve të huaj, u vranë kur militantët islamikë mësynë një bar restorant në kryeqytetin e vendit Dhaka. Gjithashtu mbeten të vrarë edhe 2 policë, ndërsa 30 të tjerë u plagosën.

Pas rrethimit prej 12 orësh, forcat e sigurisë sulmuan lokalin duke shpëtuar 13 persona. I ashtuquajturi Shteti Islamik pretendon se qëndron pas ngjarjes, por qeveria e përgënjeshtron këtë. Sipas ministrit të Brendshëm të Bangladeshit, agresorët i përkisnin grupit militant lokal “Xhamaejtul Muxhahedin Bangladesh”, i ndaluar prej më shumë se një dekadë në vend. Ai thotë se grupi nuk ka lidhje me Shtetin Islamik.

Tre prej agresorëve ishin nën 22 vjeç, 6 nga autorët e sulmit u vranë në mësymjen e policisë në bar restorant “Holey Artisan”, në lagjen diplomatike të Gulshanit. Një person i shtatë u arrestua dhe po merret ende në pyetje nga policia. Ende nuk është e qartë se çfarë roli kishte ai në sulm.

Siç bëhet e ditur, terroristët studionin në disa prej shkollave më të mira të Dhakës dhe prindërit e tyre ishin pjesë e elitës së Bangladeshit, përfshi këtu docentë, funksionarë shteti, mjekë apo politikanë. Mediet raportojnë se ata ishin radikalizuar në internet.

Rrjetet sociale janë pushtuar nga komentet e ish-shokëve të tyre të klasës, që janë habitur pasi kanë parë fotot e tyre. Bangladeshi shpalli dy ditë zie kombëtare në homazh të viktimave, mes të cilëve ishin 9 italianë, 7 japonezë, një amerikane dhe një shtetas indian.

Top Channel