Britani, pas “Brexit” dorëhiqet Farage: Misionin e përmbusha

04/07/2016 00:00

“Misionin tim e përmbusha, nuk kisha çfarë arrija më shumë nga sa arrita me këtë referendum. Kampi për largim nuk do të kishte fituar kurrë pa UKIP-in”, deklaroi udhëheqësi i Partisë së Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar, Nigel Farage, e me këto fjalë njoftoi dorëheqjen nga posti i kryetarit të forcës politike antiemigracion.

“Gjatë fushatës së referendumit thashë se doja të më kthehej vendi im. Sot them se dua të më kthehet jeta ime. I hyra kësaj beteje, sepse doja që të ishim një komb i cili vetëqeveriset, e jo sepse jam politikan karriere. Tani është momenti i duhur për të bërë mënjanë”, tha Nigel Farage, ish-kreu i UKIP. UKIP është pozicionuar fort tashmë, – kujtoi Farage, – ndërsa ditët e tij më të mira i ka përpara.

Themeluesi i partisë kryesore euroskeptike në Britani siguroi se këtë herë nuk do të ndryshojë mendje për dorëheqjen, siç bëri pas zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2015.

Drejtimi i UKIP-it ka qenë i vështirë në momente të caktuara, – rrëfen ai, – por ia vlente çdo sakrificë.

Ndonëse po tërhiqet nga kryesimi i partisë, 52-vjeçari do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e anëtarit të Parlamentit Europian derisa Anglia t’i ndërpresë zyrtarisht lidhjet me BE-në.

Vendit i nevojitet një “kryeministër Brexit-i”, tha zëri më i fortë kundër bllokut në skenën politike të Britanisë, duke nënkuptuar se ky person duhet të jetë dikush që mbështeti shkëputjen nga Bashkimi Europian. Farage ka qenë kreu i UKIP-it përgjatë pjesës më të madhe të 8 viteve të shkuara, duke u larguar shkurtimisht në 2009-n për t’u rizgjedhur sërish në krye të saj vitin pasues.

Top Channel