Rrëzimi i avionit të “EgyptAir”, rikuperohen trupat e viktimave

04/07/2016 00:00

Një anije që po kërkon eshtrat e viktimave të avionit të “EgyptAir”, që u rrëzua në Mesdhe në muajin maj, ka rikuperuar të gjitha trupat e piketuara në det. Anija nga Mauritania “John Lethbridge” po lundron tani drejt Aleksandrisë në Egjipt, ku eshtrat do të analizohen nga prokurorë dhe specialistë të Mjekësisë Ligjore, para se të shkojnë në Kairo për testet e ADN-së.

Më vonë, mjeti lundrues do të kthehet në vendin ku besohet të jetë rrëzuar avioni, për të kërkuar për trupa të tjerë. “Airbus A320” po fluturonte nga Parisi për në Kairo, kur u rrëzua më 19 maj me 66 persona në bord.

Në një deklaratë, komisioni për hetimin e aksidentit të avionit të “EgyptAir” tha se anija mauritaneze kishte nxjerrë nga uji të gjitha mbetjet njerëzore të diktuara më herët në zonën e aksidentit. Ai shtoi se ekspertë mjekoligjore nga Egjipti dhe Franca mbikëqyrën procesin e rikuperimit të trupave.

Ndërkohë, sipas asaj që bëri të ditur komisioni të shtunën, kartat e memories së regjistruesit të zërave në kabinë nuk janë të dëmtuara dhe hetuesit do të mund të nxjerrin informacione të dobishme prej tyre.

Hetuesit egjiptianë konfirmuan javën e kaluar se kutia e zezë e avionit me numër fluturimi “MS804” kishte konfirmuar praninë e tymit në kabinë.

Regjistruesit e të dhënave të fluturimit dhe zërit u nxorën nga thellësia e 3.000 metrave në Mesdhe. Kutia e dytë, ajo e regjistruesit në kabinë po i nënshtrohet proceseve riparuese në Paris. Shkaku i tragjedisë nuk dihet ende, por ekspertët janë më të orientuar drejt teorisë së një defekti teknik.

Top Channel