SHBA, zbulohet “thesari” me prejardhje nga trafiku i drogës. Dy të arrestuar

04/07/2016 00:00

Ajo që nisi si bastisje e thjeshtë e një banese nga policia në Miami, përfundoi me një zbulim spektakolar: autoritetet gjetën miliona dollarë të fshehur pas një muri të papafingos, si dhe dy lloje marijuane të emërtuara “Super Skunk” dhe “Chernobyl”, por edhe një armë zjarri.

Paratë e gjetura llogariten diku ndërmjet 10 dhe 20 milionë dollarëve. Luis Hernandez-Gonzalez, 44 vjeç, dhe motra e tij Salma Gonzalez, 32 vjeçe u arrestuan për lidhje me trafikun e drogës. Plot 180 mijë dollarë “cash” ishin gjetur fillimisht në biznesin e drejtuar nga Luis dhe Salma, e pasi siguruan mandatin e dytë të kërkimit, forcat e rendit ranë në gjurmët e “thesarit” të vërtetë, milionave të mbyllura në një dhomëz të fshehtë të lidhur me papafingon.

Hernandez-Gonzalez përballet tani me akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike e pastrimit të parave, ndërsa e motra, me atë të zotërimit të marijuanës dhe trafikut të drogës.

Dy arrestimet përbëjnë pikën kulmore të hetimit të ndërmarre nga Agjencia e Antinarkotikëve në Tennessee dhe Florida. Zyrtarët thonë se janë ndihmuar nga burime konfidenciale dhe, për të realizuar prangosjet, kishin planifikuar blerje lëndësh narkotike e një operacion mbikëqyrjeje.

Kjo është sasia më e madhe e parave e kapur ndonjëherë në të gjithë historinë e Departamentit të Policisë së Miamit.

Top Channel