Skulptura! Artistë shqiptarë dhe të huaj mblidhen në Korçë

03/07/2016 00:00

Qyteti i Korçës i ka hapur dyert edicionit të 7-të të Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës për të mirëpritur këtë vit 6 artistë: 2 shqiptarë dhe 4 të huaj nga Turqia, Qipro, Italia e Taiwani.

Për 10 ditë radhazi Korça do të kthehet në destinacionin e daltës së skulptorëve të vendit, rajonit e më gjere, ndërsa risia për këtë vit do të jetë punimi i drurit.

“Gjendeni në edicionin e 7. Plotësojmë sot një ëndërr për ta ndërtuar  këtë edhe në Shqipëri. Një ëndërr e realizuar falë një komuniteti siç është qyteti i Korçës. Ata kanë ndërtuar edhe një spektakël gjatë ditëve që kanë qëndruar në këtë qytet”, u shpreh kuratori Genti Tavanxhiu.

“Kemi një muzeum të vogël pamor me skulpturat e realizuara në vite. Ne jemi përpjekur t’i ruajmë ato pavarësisht dëmtimeve.  Jemi përpjekur të dalim mbi këtë fenomen të shëmtuar dhe kemi një bukuri të rrallë në qytet që tërheq vëmendjen e të gjithë turistëve që vijnë shqiptarë apo të huaj”, u shpreh drejtoresha e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”, Korçë,  Zamira Kita.

Skulpturat e reja të gdhendura në gur dhe dru, me karakter monumental modern, do t’i bashkangjiten koleksionit të veprave paraardhëse në formën e muzeut të hapur në parkun “Rinia”, aty ku idetë e shume artisteve bashkohen në një.

Top Channel