Heshtje për testimin e Rinasit, TIA dhe Transportet nuk reagojnë

03/07/2016 00:00

Një ditë pasi Top Channel publikoi ekskluzivisht raportin e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit, që tregonte dështimin e sigurisë në aeroport, as Ministria e Transporteve dhe as Aeroporti “Nënë Tereza” nuk kanë bërë asnjë reagim.

Të pyetur nga Top Channel, ato thonë se presin hetimet që po zhvillohen për grabitjen spektakolare. Ndërkohë, siç edhe Top Channel publikoi një ditë më parë, 3 testime të fshehta për sigurinë u kryen në datën 20 prill 2016.

Testimi i parë ishte futja e eksplozivit, i dyti futja e armëve të ftohta, ndërsa testimi i tretë çarja e perimetrit të jashtëm, në të njëjtën derë ku hynë autorët e vjedhjes së parave në pistën e aeroportit.

Në të 3 testimet, siguria e aeroportit dështoi të sinjalizojë rrezikun, duke lejuar futjen e tritolit dhe thikës, në të njëjtën pikë ku u fut edhe makina e grabitësve, pa u kapur nga sistemi i kamerave të kompanisë së sigurisë “ICTS”.

Raporti i është dorëzuar Ministrisë së Transporteve dhe Aeroportit në mes të muajit. Ndërkohë, 5 drejtuesit dhe punonjësit e kompanisë së sigurisë “ICTS”, për të cilët të premten u lëshua urdhër-ndalimi, do të dalin të hënën para gjykatës, pasi dyshohen për “shpërdorim detyre”, duke i krijuar mundësinë 3 personave të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave në pistën e aeroportit.

Top Channel