Kosovë, kryeministri Mustafa niset për në samitin e Parisit

03/07/2016 00:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka udhëtuar për në Paris, ku do të marrë pjesë në Samitin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor.

Të hënën, kryeministri Mustafa do të jetë pjesëmarrës në takimin qendror të samitit, ku do të jenë të pranishëm Presidenti francez François Hollande, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kancelari austriak Christian Kern, kryeministri italian Matteo Renzi, si dhe zëvendëspresidentja e KE-së, njëherësh Përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, në samitin e tretë që zhvillohet në kuadër të “Procesit të Berlinit” do të jenë të pranishëm edhe kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, ku veç Mustafës do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Sllovenisë Miro Cerar, kryeministri i Kroacisë Tihomir Oreskoviç, kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, kryeministri i Maqedonisë Emil Dimitrev, kryeministri i Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdiç, si dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç.

Gjatë punimeve të samitit do të bëhet vlerësimi i progresit të arritur në projektet e deritashme, si dhe pritet të ndërmerren nisma për projekte të reja. Ndër temat e samitit do të jenë edhe avancimi i bashkëpunimit ndërmjet shteteve në rajon, fuqizimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi ndërmjet të rinjve.

“Gjatë samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së, si dhe homologët nga vendet e rajonit. Takime të ndara, kryeministri Isa Mustafa do të zhvillojë edhe me drejtues të lartë të Bashkimit Europian, ku do të theksojë përkushtimin e Republikës së Kosovës në proceset eurointegruese, si dhe do të kërkojë përkrahje për fillimin sa më të shpejtë të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së”, thuhet në njoftim.

Top Channel