Mposht mallkimin me Italinë, Gjermania lavdërohet nga mediet ndërkombëtare

03/07/2016 00:00

Gjermania prishi më në fund mallkimin e saj në përballjet me Italinë, duke e eliminuar skuadrën e Contes në çerekfinalet e “Euro 2016”. Është pikërisht ky koncept që theksohet në median gjermane, entuziazmi i së cilës për këtë sukses është i madh.

“Heroi Hector prish mallkimin ndaj Italisë”, lexohet tek e përditshmja “Bild”, ndërsa “Suddeutche Zeitung” publikon editorialin me titull “Kjo skuadër është më e mirë se çdo plan tjetër ndeshjeje. Gjermania është në gjysmëfinale. Ndaj Italisë u zhvillua një sfidë, që për fat të mirë kaloi pritshmëritë”.

Frankfurter Allgemaine” shkruan: Trajneri guxoi dhe fitoi, duke iu referuar zgjedhjeve të bëra nga Low në përballjen me Italinë. Ndërsa “Kicker” preferoi t’i dedikojë artikullin dyshes Neuer-Hector, heronjtë e skuadrës së Low. “Faleminderit Neuer dhe Hector, Gjermania në gjysmëfinale”, lexohet te “Kicker”.

Në Itali, media shpreh krenarinë e saj për skuadrën e Antonio Contes për paraqitjen e bërë në këtë Europian. “Tuttosport” shkruan: Faleminderit! Eliminim i tmerrshëm. Pas 9 penalltive, Italia mbetet jashtë Europianit, Gjermania në gjysmëfinale.

Te “Gazzetta dello Sport” lexohet: Ngrini kokën! Një Itali e papërkulur i çoi kampionët e botës në serinë e gjuajtjeve të 11-metërshave. U eliminuam, por gjithçka nis këtu. Kurse “Corriere dello Sport” thekson: Italia e madhe! Të kaltrit janë për t’u duartrokitur, u mundën nga Gjermania vetëm me 11-metërsha.

Fitorja e Gjermanisë ndaj Italisë u pasqyrua gjerësisht edhe në mediet e tjera europiane. “L’Equipe” publikon: Kaq ishte, është Gjermania ajo që fiton. Ndërsa spanjollja “Marca” shkruan: Gjermania ndryshon historinë, eliminoi Italinë për herë të parë, pas 18 penalltive të ekzekutuara. Te “Dailymail” lexohet: Gjermania mund më në fund Italinë; por u desh seria dramatike e 11 metërshave, ku Hector arriti të ruajë gjakftohtësinë.

Top Channel