“Euro 2016”, Conte i jep një lamtumirë optimiste Italisë

03/07/2016 00:00

Me ndeshjen ndaj Gjermanisë, Italia i dha lamtumirën Europianit të Francës, por edhe trajnerit Antonio Conte, i cili do të transferohet në Londër për të marrë drejtimin e Chelseat. Tekniku i “të kaltërve” u shfaq në konferencën e tij të fundit në këtë detyrë, duke shprehur optimizmin për të ardhmen e përfaqësueses italiane.

“Është e nevojshme të jesh nëpër Europianë për të fituar eksperiencë e të përmirësohesh. Në këtë këndvështrim unë jam optimist për Italinë. Mendoj se këta lojtarë kanë lënë gjurmë në ‘Euro 2016’ dhe duhet të vazhdojnë këtë punë të nisur. Federata italiane e Futbollit do të bëjë zgjedhjet e saj më të mira për këtë, edhe pse do të jetë shumë e vështirë”, tha Conte.

Përsa i përket ndeshjes me Gjermaninë, Antonio Conte nuk i kurseu aspak fjalët më të mira për futbollistët.

“Të jesh në gjendje të përballosh Gjermaninë, duhet të na japë kënaqësi, por ne besuam se mund të fitonim dhe në fund u zhgënjyem. E dimë që futbolli të fal gëzime, por edhe që të lë shije të hidhur ndonjëherë. Megjithatë, këta futbollistë duhet të kthehen në shtëpi të kënaqur, pasi dhanë gjithçka kishin në fushën e lojës. Për këtë unë do t’i falënderoj gjithnjë dhe do të kenë një vend në zemrën time”.

Top Channel