Ndahet nga jeta i mbijetuari nobelist i Aushvicit, Elie Wiesel

03/07/2016 00:00

I mbijetuari i Holokaustit dhe fituesi i çmimit “Nobel” për Paqen, Elie Wiesel ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare. Ai vdiq në SHBA, ku jetoi që prej vitit 1960 duke qenë edhe nënshtetas. Wiesel u bë i famshëm pasi shkroi për përvojën e tij si një adoleshent në kampet naziste të përqëndrimit, ku ai humbi babain, nënën dhe një motër më të re.

Ai i kushtoi jetën e tij fushatave për të mos lejuar harrimin e mizorive të nazistëve, ndërsa presidenti amerikan Barack Obama e cilësoi si një prej zëravë më të fortë moralë të epokës sonë. Wiesel u lind në Rumani në vitin 1928, ndërsa në vitin 1944 e gjithë familja e tij u internua në Aushvic, kur ai ishte vetëm 15 vjeç.

Pas lufte ai jetoi në një jetimore franceze dhe studoi për t’u bërë gazetar. Ishte pikërisht ai që përdori fjalën “Holokaust”, që u bë simboli i mizorive të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrejve.

Në vitin 1986 ai mori çmimin “Nobel” për Paqen, për rolin e tij kundër dhunës, shtypjes dhe racizmit. “Kudo dhe kurdo që qeniet njerëzore pësojnë vuatje dhe poshtërim, zgjidhni një anë. Neutraliteti ndihmon shtypësin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon torturuesin, kurrë atë që torturohet”, deklaroi ai duke marrë çmimin “Nobel”.

Elie Wiesel lë pas gruan e tij, gjithashtu një e mbijetuar e Holokaustit, dhe një djalë.

Top Channel