Bangladesh, dy ditë zie kombëtare pas sulmit terrorist me 20 viktima

03/07/2016 00:00

Autoritetet në Bangladesh shpallën dy ditë zie kombëtare për personat e vrarë gjatë sulmit të militantëve islamikë në një kafene në kryeqytetin Daka. 20 pengje, shumica e të cilëve shtetas të huaj, ishin mes viktimave.

Dy oficerë policie u vranë gjithashtu në përballje me terroristët, ndërsa më shumë se 30 njerëz u plagosën. Forcat speciale të policisë mundën që të shpëtonin 13 pengje, teksa vranë 6 terroristë pas 12 orësh luftime dhe arrestuan një prej tyre.

Mes viktimave ishin 9 italianë, 7 japonezë, një amerikan dhe një indian. Ministria e Bredshme e Bangladeshit tha se terroristët nuk i përkisnin organizatës së Shtetit Islamik, por një grupi lokal terrorist. Mësohet se bëhet fjalë për organizatën “Jamaeytul Mujahdeen Bangladesh”, e cila prej më shumë se një dekade është shpallur e jashtligjshme në vend.

Mediat lokale raportojnë se militantët, pasi hynë në kafene, torturuan dhe vranë këdo që nuk mund të thoshte vargje nga Kurani. Zëdhënës të policisë e konfirmuan këtë, duke thënë se viktimat ishin sulmuar brutalisht me armë të mprehta.

Duke shpallur dy ditët e zisë kombëtare, kryeministri i Bangladeshit Sheik Hasina u zotua se do të luftojë kundër akteve terroriste në vend. Ai tha se, kushdo që beson se feja mund të bëjë akte të tilla, nuk ka fe dhe i beson vetëm terrorizmit.

Së fundmi, Bangladeshi ka vuajtur një sërë sulmesh vdekjeprurëse ndaj “blogger”-ave ateistë, aktivistëve gay, akademikëve dhe anëtarëve të minoriteteve fetare, ndërsa ekspertët thonë se një sulm i tillë masiv ishte thjesht çështje kohe, duke qenë se për këto të tjerat thuasje nuk është marrë asnjë masë.

Top Channel