Bagdad, dhjetëra viktima nga shpërthimet e kryera prej ISIS

03/07/2016 00:00

Të paktën 83 persona u vranë dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën, si pasojë e dy bombave të fuqishme që shpërthyen në kryeqytetin irakian, Bagdad. Sulmet u kryen nga Shteti Islamik, i cili mori përsipër përgjegjësinë për to përmes një komunikate në internet.

Sulmi i parë, që ndodhi mesnatën e së shtunës, u krye nga një kamikaz që hodhi veten dhe makinën e ngarkuar me eksploziv në zonën e Karadës, pranë një restoranti dhe një qendre tregtare. Mësohet se zona ishte e mbushur plot me njerëz, që po darkonin jashtë pas perëndimit, si pjesë e riteve të muajit të Ramazanit.

Bomba e dytë shpërtheu në një zonë me banorë kryesisht shiitë në Veri të kryeqytetit Bagdad. Sulmet vijnë vetëm një javë pasi forcat e sigurisë irakiane rimorën kontrollin e qytetit të Falluxhës nga duart e Shtetit Islamik.

Autoritetet thonë se qyteti përdorej si platformë nga militantët për të nisur sulme, por duket se edhe pa të, mundësitë e terroristëve nuk janë pakësuar. Shteti Islamik kontrollon zona të mëdha në Veri dhe Perëndim të Irakut, përfshirë Mosulin, qyteti i dytë më i madh në vend.

Së fundmi, ky grup terrorist është vënë nën presion në Irak dhe Siri nga sulmet e shumta kundër tij, por duket se kjo nuk ka pakësuar aftësinë e militantëve për të bërë raprezalje.

Top Channel