Gjermania në gjysmëfinale! Tension deri në minutën e fundit, vendosin penalltitë

02/07/2016 00:00

Mund të quhet pa frikë ndeshja më e bukur e Kampionatit Europian. Tensioni ka qenë i pranishëm që në minutën e parë, gjatë kohës së rregullt, shtesave dhe deri tek 11-metërshat, që zgjatën deri në 9 seri, por që në fund i dhanë fitoren Gjermanisë.

Kombëtarja e drejtuar nga Joachim Loew ka arritur të thyejë kështu “mallkimin” që e ndiqte në ndeshjet me Italinë, që ishte kthyer dhe në “macen e zezë” të gjermanëve. Sidoqoftë kanë qenë këta të fundit që kanë dominuar ndeshjen.

Pjesa e parë është zhvilluar në pjesën dërrmuese të saj në fushën e italianëve, me gjermanët që kanë insistuar dhe kanë gjetur golin në minutën e ’65 me anë të Mesut Oezil. Ka qenë Gomez që ka mbajtur topin nën kontroll, ka pasuar saktë për Hector dhe ky i fundit e ka futur në zonë për Oezil, që ka goditur saktë drejt rrjetës.

Të dyja skuadrat kanë vijuar lojën, me lojtarët të vendosur në fushë në mënyrën më të mirë, pa i lejuar vetes gabime. Por ja që Boateng e ka bërë një të tillë kur ka prekur topin me dorë në zonë, duke u dhuruar italianëve një 11-metërsh që është kthyer në gol nga Bonucci në minutën ’77.

Pas barazimit, ndeshja ka vijuar konstante për t’ua lënë vendin kohëve shtesë. Edhe në këto Gjermania ka qenë më dominante, por me kalimin e minutave fuqia ka braktisur lojtarët e të dy skuadrave, që kanë kaluar më pas në 11-metërsha.

Në këtë fazë të lojës tensioni ka qenë edhe më i madh. I pari që ka gjuajtur nga pika e bardhë ka qenë Insigno për italianët, që e ka finalizuar me sukses goditjen.

Barazimi për gjermanët ka ardhur nga Kroos, pas të cilit ka qenë radha e Zaza, që me goditjen jashtë i ka dhuruar një mundësi të artë gjermanëve për të kaluar në avantazh. Por Mueller nuk e ka shfrytëzuar këtë rast, pasi topi i gjuajtur prej tij ka rënë në duart e Buffon.

Penalltinë e radhës për axurrët e ka kthyer në gol Barzagli, ndërkohë që nga kampi tjetër Oezil ka goditur shtyllën, duke bërë që t’u buzëqeshë fati italianëve. Por edhe këtyre nuk u ka ecur, Graziano Pelle ka goditur jashtë duke e kthyer situatën në balancimin e mëparshëm.

I njëjti fat i keq ka qenë edhe për Schweinsteiger, që ka goditur jashtë kuadratit, ndërkohë që penalltia e dytë e Bonuccit në këtë ndeshje është pritur nga Neuer, duke bërë që seria e 11-metërshave të vazhdojë.

Penalltitë kanë vijuar me nga 4 për secilën skuadër, derisa në fund Manuel Neuer ka pritur goditjen e Matteo Darmian. Nga gjermanët, i besuari i Loew, Jonas Hector ka cuar topin në rrjetë, por jo pa u dridhur mirë për shkak se Buffon ishte fare pranë pritjes.

Tashmë Gjermania i është bashkuar Portugalisë dhe Uellsit në gjysmëfinale, ndërkohë që skuadra tjetër do të vendoset nesër në ndeshjen Francë-Islandë.

Ndeshja e sotme ishte edhe një ndeshje mes dy portierëve, Neuer dhe Buffon, por edhe e dy trajnerëve, Conte dhe Loew. Ky i fundit mund të mbahet mend si trajneri që theu sagën e hidhur të humbjeve ndaj italianëve.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel