Bunk’art, destinacion turistik

02/07/2016 00:00

Që prej 3 muajsh Tirana ka një destinacion turistik të përhershëm. I ndërtuar në fund të viteve ‘70, me një sipërfaqe rreth 2.700 m2, i ndarë në 106 dhoma, Bunk’art mirëpret 150 vizitorë në ditë, vendas e të huaj.

Bunk’art u çel në nëntor të vitit 2014 dhe për dy muaj mirëpriti 65 mijë vizitorë, për t’u rihapur përfundimisht në prill të këtij viti, me më shumë dhoma të aksesueshme për vizitorët.

“Këto muaj kemi punuar për të çelur dhoma të reja. Njëra prej tyre është në nder të minatorëve të rënë gjatë punës për ndërtimin e tuneleve dhe bunkerëve”, thotë Eva Haxhi, menaxhere e Bunk’art.

Dhoma e ish-dikatorit Enver Hoxha, ajo e Mehmet Shehut e dhoma të tjera ku ekspozohen veshje, armatime e tela me gjemba janë disa nga dëshmitë e gjalla të historisë komuniste, shëtitja e të cilave në korridoret e nëndheshme të Bunk’art shoqërohet me ciceronë dhe audioguidë në tre gjuhë.

Ajo që dikur u krijua si një hapësirë për mbledhjet e Byrosë Politike në rast pushtimi, sot ka një tjetër konotacion: është një pikë takimi mes historisë dhe kulturës.

“Një tjetër sallë përdoret për aktivitete kulture. Vjet organziuam edicionin e parë të Festivalit të Ndaluar. Këte vit do të organziojmë edicionin e dytë të këtij evenimenti, për të dhënë idenë e artit të ndaluar në atë kohë”, thotë menaxherja Haxhi.

Bunk’art gjatë sezonit veror do të jetë i hapur 7 ditë të javës për të pritur vizitorë që duan të mësojnë më shumë mbi historinë dhe memorien shqiptare.

Top Channel