Britani, me mijëra marshojnë në mbështetje të BE-së

02/07/2016 00:00

Me mijëra vetë janë mbledhur përpara ndërtesës së Parlamentit në Londër duke krijuar një det njerëzor në ngjyrat e BE-së, blu dhe të artë.

Lajtmotivi i tubimit të tyre ishte pikërisht kjo: mbështetja për bllokun europian. “Marshimi për Europën” u organizua nëpërmjet mediave sociale. Pjesëmarrësit mbanin në duar parulla ku shkruhej “Bremain” dhe “Ne e duam BE-në”.

Britanikët votuan më 23 qershor me 52% të votave kundrejt 48% për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Europian. Por një nga nismëtarët e protestës, komediani Mark Thomas thote se fushata e referendumit nuk u luftua në një nivel shansesh të barabarta.

“Nëse gjërat do të kishin qenë ndryshe, atëherë do ta pranonim rezultatin. Por fushata ka qenë e mbushur me keqinformim dhe njerëzit duhet të bëjnë diçka tani me zhgënjimin e tyre”, u shpreh ai për “The Guardian”.

“Jam absolutisht e indinjuar nga mënyra sesi njerëzit votuan, nga gënjeshtrat mbi të cilat u mbështet ky referendum dhe nga përçarja që i bëri ai vendit”, i tha BBC-së një protestuese, Philippa Griffin.

“Shpresoj që ky marshim të arrijë t’i tregojë ligjvënësve tanë se largimi nga blloku europian nuk është ajo që njerëzit duan. Ndiej se Britania ka ndryshuar që tani”, shtoi ajo.

Protesta tërhoqi edhe kritika në mediat sociale. Disa përdorues në Twitter e cilësuan atë “patetike” dhe thjesht një shpërthim zemërimi të atyre që nuk fituan. Forca të shumta policore ishin mobilizuar për të garantuar sigurinë e eventit.

Top Channel