Pesë vetë u qëlluan për vdekje dhe të paktën 20 të tjerë u plagosën nga një person që hapi zjarr në një kafene në verilindje të Serbisë.

Nga sa pohuan burime policore, agresori kishte vrarë të shoqen dhe një grua tjetër të ulur pranë saj përpara se hapte zjarr më pas pa dallim mbi klientët e tjerë të lokalit. Mes të plagosurve nga sulmi, i ndodhur pranë qytetit Zrenjanin, janë edhe tre fëmijë.

Dëshmitarë okulare i thane televizionit shteteror serb se agresori hyri në kafene “Makijato” dhe pa aty të shoqen me një grup miqsh. Ai doli nga lokali për të shkuar siç duket në shtëpi, nga ku u kthye me armë në dorë.

“Fillimisht ai qëlloi në ajër. Ne menduam se ishin fishekzjarre, por pastaj pash sesi u rrëzua në tokë burri që ishte ngjitur me mua e nisën të binin edhe të tjerë. Ishte një kaos i vërtetë”, rrëfen Svetozar Manojloviç.

Sipas ministrit të Brendshëm serb, Nebojsa Stefanoviç, klientët e lokalit arritën t’i afroheshin agresorit e t’i merrnin armën nga dora. Arma automatike, nga sa sqaroi Stefanoviç, ishte e paligjshme.

Ministri bëri thirrje me këtë rast për dorëzimin e të gjitha armëve të paligjshme, të përhapura masivisht pas luftërave ballkanike të viteve ‘90.

Në Serbi ka pasur disa incidente të ngjashme vitet e fundit. Tre vjet më parë, 13 vetë humbën jetën nga një valë të shtënash në një fshat pranë Beogradit, ndërsa vitin që shkoi, 6 vetë u vranë në veri pas sherrit për një dasmë.

Top Channel