Vrasësi me një këmbë, gjykata në Londër kërkon ekstradimin

02/07/2016 00:00

Vrasësi shqiptar me një këmbë, i ekspozuar nga tabloidi britanik “Daily Mail”, duhet të ekstradohet në Shqipëri në lidhje me një vrasje të dyfishtë të kryer në Burrel përpara 20 vjetësh.

Një gjykatë në Londër i ka kërkuar ministres së Brendshme Theresa May, e cila konkurron aktualisht për të zëvendësuar Cameron në krye të qeverisë, që të firmosë dërgimin në Shqipëri të Saliman Barcit, i cili ka shtetësi britanike të fituar si shqiptar i Kosovës përpara 14 vjetësh.

Gjykatësi i çështjes, John Zani, në seancën e fundit në gjykatën e Uestminster u shpreh i mendimit se nuk ka pengesa për këtë ekstradim.

“Unë kam shqyrtuar gjithë argumentat e bëra në emrin tuaj nga avokatët dhe gjithçka që ju më thatë, por më duhet të them se i kam hedhur poshtë të gjitha”, i tha gjykatësi Barcit në seancë.

Shqiptari Saliman Barci, i cili përdorte emrin Saimir Basha, është dënuar në mungesë në Shqipëri me 25 vjet burg për vrasjen e Përparim Ibrahimit dhe Artur Gjokës në vitin 1997 dhe autoritetet shqiptare më 17 korrik 2015 kanë kërkuar esktradimin e tij në vendin tonë.

Barci dhe ekipi i tij mbrojtës luftuan kundër ekstradimit në bazë të të drejtave të parashikuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe ato në ligjin e ekstradimeve të vitit 2003.

Avokatët e tij thanë se Braci ishte objekt i gjakmarrjes dhe se nuk do të merrte kujdesin e duhur mjekësor në burgjet shqipare. Pas këtij vendimi nga gjykata, shqiptari ka të drejtë të apelojë edhe vendimin që pritet të marrë ministrja e Brendshme britanike.

Top Channel