ICTS nuk shoqëroi furgonin, transporti i parave në pistë pa roje sigurie

02/07/2016 00:00

Mosveprimi i personave që kishin për detyrë të garantonin sigurinë brenda perimetrit të aeroportit të Rinasit, kanë lejuar grabitjen e valutës dy ditë më parë pranë pistës së avionëve.

Në këtë përfundim ka arritur Prokuroria e Krujës, një ditë pas arrestimit të 3 punonjësve të sigurisë së brendshme të aeroportit ICTS dhe drejtorit të shërbimeve aeroportuale.

Asnjë prej personave të lartpërmendur nuk ka kryer detyrën e tij, madje nuk kanë qenë fare në vendet e tyre të punës.

Kjo ka bërë që grabitësit ta kenë fare të lehtë t’i merrnin thasët me valutë shoferit të furgoni dhe shoqëruesit civil të valutës.

Më konkretisht, sipas Prokurorisë së Krujës, Arben Karafili, Shefi i stacionit të ICTS, që duhej të monitoronte shërbimet e sigurisë, dhënien e detyrave, marrjen e raportimeve nga të gjitha shërbimet dhe koordinimin me hallka të tjera që sigurojnë aeroportin, nuk ka kryer asnjë veprim aktiv që do të parandalonte vjedhjen e valutës.

Po ashtu edhe dy vartësit e tij, Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, që duhej të patrullonin perimetrin e aeroportit dhe të kishin nën vëzhgim vizual zonën ku u krye grabitja, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pasi nuk kanë qenë fare në atë zonë.

Në kushtet e mosfunskionit të asnjë hallke të sigurisë, Prokuroria, arrestoi edhe drejtorin e Shërbimeve Portuale, Vangjel Nikolla. Ndërsa personi i pestë i arrestuar, Kujtim Picari që ishte shoqëruesi i vlerave monetare i caktuar nga një bankë e nivelit të dytë, përkundër rregullave ka pranuar të marrë në dorëzim, pas skanimit të vlerave monetare, furgonin e blinduar të “SHPSF Nazeri 2000”, pa shoferin e firmës së mësipërme.

Gjithashtu ky person nën hetim, në vendqëndrimin e automjeteve të shërbimit, në kundërshtim me rregulloren, ka mbajtur të hapura dyert e mjetit, duke i dhënë mundësi autorëve të ngjarjes të futen në kasafortën e mjetit dhe të vjedhin sasinë e parave.

Mbetet për t’u verifikuar nëse kjo mungesë e theksuar e elementeve të sigurisë ishte kthyer në një rutinë të përditshme apo ka ndodhur vetëm ditën e grabitjes.

Top Channel