Dyshimet mbi koncesionin, kompania u njoftua për shkeljet e kontratës

02/07/2016 00:00

Raporti konfidencial i publikuar nga Top Channel për testet e sigurisë në aeroport, përveç dështimit të ICTS-se, aeroportit dhe autoriteteve publike për të garantuar sigurinë në aeroport, ngre pikëpyetje të forta edhe mbi vetë koncesionin.

Në nenin 26 të marrëveshjes koncesionare parashikohet se qeverisë së Shqipërisë i lind menjëherë e drejta të zgjidh në mënyrë të njëanshme koncesionin nëse shoqëria private kryen një shkelje thelbësore dhe dështon ta korrigjojë atë edhe pasi është njoftuar për 30 ditë.

Por, cilat janë shkeljet thelbësore? Top Channel i referohet përcaktimeve në kontratën koncesionare. Përkatësisht në nenin 28 paragrafi 5 të marrëveshjes thuhet shprehimisht se:

“Shkelje thelbësore quhet kur Shoqëria s’ka përmbushur detyrimet e saj lidhur me sigurinë teknike dhe sigurimin ne përputhje me Shtojcën 39 (Sistemi i Administrimit te Sigurisë ne Aeroport) dhe Shtojcën 44 (Kontrolli i Sigurisë dhe i Bagazheve), përjashtuar Rastin e Forcës Madhore, dhe nuk e ka ndrequr këtë mospërmbushje brenda pese (5) ditëve pasi ka marre njoftim me shkrim nga Qeveria Shqiptare ku ajo njofton Shoqërinë për këtë mospërmbushje”.

Testet sekrete të sigurisë në aeroport u kryen në datën 20 prill. Sipas dokumenteve të zotëruar nga Top Channel autoritetet kanë njoftuar koncesionarin në datën 13 maj. Por një muaj e gjysmë më vonë, siguria e aeroportit u thye, këtë herë jo me nga testimet, por nga keqbërës, pikërisht në po të njëjtin vend ku dështoi edhe testi i sigurisë.

Hyrja e grabitësve tregon se koncesionari dhe kompania e sigurisë kanë dështuar të marrin masa dhe të ndreqin cenimin e konstatuar te sigurisë në aeroport, çka sipas marrëveshjes së koncesionit mund të përbëjë një shkelje thelbësore të kontratës. 

Top Channel