F1, Hamilton fiton “pole position” në Çmimin e Madh të Austrisë

02/07/2016 00:00

Për herë të pestë gjatë këtij sezoni në Formula 1, Lewis Hamilton do të niset nga vendi i parë, këtë herë në Çmimin e Madh të Austrisë pasi arriti të marrë “pole position” në provat zyrtare.

Një xhiro perfekte në sekondat e fundit të periodës së tretë i ka dhënë pilotit britanik një sukses më se të merituar dhe do të ketë nesër një mundësi të mirë për të shkurtuar diferencën e 24 pikëve nga shoku i tij i skuadrës, Rosberg.

Gjermani i Mercedes shënoi kohën e dytë më të mirë, por u penalizuan me 5 vende sepse ndërruan kambion, së bashku me pilotin e Ferrarit, Vettel, i cili arriti kohën e katërt më të mirë. Kështu, pas penaliteteve, Hulkenberg që arriti kohën e tretë më të mirë do të niset nesër menjëherë pas Hamilton dhe në vendin e tretë do të jetë Button.

Provat zyrtare rezultuan jo të lehtë për të gjithë pilotët pasi në disa momente pista u përfshi nga shiu.

Gara e Çmimit të Madh të Austrisë do të nisë nesër në orën 14:00 dhe do të transmetohet në Top Channel.

Top Channel