Greqi, pranga trafikantëve të refugjatëve; të huaj e grekë i çonin drejt BE-së

02/07/2016 00:00

Forcat e policisë në Selanik kanë arrestuar pesë persona me akuzën e trafikimit të dhjetëra refugjatëve nga Greqia drejt vendeve të Europës qendrore nëpërmjet kufijve shqiptarë.

Bëhet fjalë për katër shtetas të huaj të moshës 26,34,38 dhe 52 vjeç dhe një 49-vjeçar grek, të cilët u përpoqën të transportojnë ilegalisht 87 refugjatë, midis tyre 46 fëmijë, duke marrë 5000 dollarë për çdo person.

Policia greke ka organizuar operacionin për arrestimin e tyre në lagjen Stavroupoli në perëndim të qytetit ku është zbuluar dhe konfiskuar një autobus me targa të huaja, të cilin e drejtonte shtetasi grek dhe me të cilin do të kryhej transporti drejt kufirit me Shqipërinë.

Katër të tjetër kishin marrë përsipër të sillnin emigrantët nga kampet ku ata ndodheshin, deri tek autobusi.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale janë konfiskuar 3500 euro dhe shtatë telefona celularë që përdornin trafikantët.

Ende nuk dihen hollësi se si do të procedonin në kufirin shqiptar trafikantët, çfarë rruge do të ndiqnin më pas dhe se kishin apo jo bashkëpunëtorë të tjerë në Shqipëri dhe shtetet e tjera. Të arrestuarit do të çohen për t’u pyetur tek prokurori në orët e ardhshme.

Top Channel