Fier, vret të atin me armë gjahu. Nga frika sajon një sulm të ujkut në pyll

01/07/2016 00:00

Një vrasje me armë gjahu ka ndodhur mesditën e kësaj të premteje në fshatin Vlosh të Roskovecit, në rrethin e Fierit, teksa shtetasi Karafil Rrapushi ka mbetur viktimë e djalit të tij 8-vjeçar me inicialet F.Rr.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 12:15, ndërsa për të pati edhe raportime kontradiktore, duke qenë se fillimisht u lajmërua se viktima ishte sulmuar nga një ujk e më pas kishte gjetur vdekjen.

Policia, me të marrë njoftimin ngriti një grup hetimor, i cili pas veprimeve të para proceduriale doli në konkluzionin se ajo ishte një vrasje dhe jo aksident në pyll. Arma e gjahut është gjetur në vendngjarje, sipas njoftimit të policisë.

Sa i përket rrethanave të ngjarjes, mësohet se viktima kishte dalë në pyllin e fshatit për të mbledhur bimë medicinale, por teksa është ulur për të pushuar, armën e gjahut ia kishte marrë i mituri për të luajtur dhe papritur e kishte shkrepur këmbëzën në drejtim të të atit, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Ka qenë vet fëmija 8-vjeçar që ka njoftuar familjarët për vdekjen e të atit, por nga frika është përpjekur fillimisht e ka sajuar ngjarjen për të mbuluar krimin. Megjithatë, ka qenë po ai që ka shpjeguar më pas të vërtetën.

Fëmija i mitur është nën kujdesin e një psikologu dhe një avokati.

Top Channel