Këshilli i Restaurimeve, Rama: “Arena Kombëtare”, me standardet e UEFA-s

01/07/2016 00:00

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, kryeministri Edi Rama tha se ndërtimi i stadiumit të ri do të jetë vlerë për kryeqytetin. Po çfarë do të fitojë Tirana nga ky projekt?

“Tirana do të fitojë një zonë të re tërësisht të ripërtërirë urbane, me 4 hapësira publike që sot nuk ekzistojnë. Stadiumi, nga një qendër biznesi mesjetare, do të kthehet në një qendër publike dhe private, e një jete që do të vijojë 7 ditë e 7 net në javë”, tha Rama.

Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës.

“Nëse ne do ta ndërtonim së bashku me Federatën e Futbollit këtë stadium, jo vetëm që do të ndërtonim një të tillë vetëm për ditët e diela dhe që do të vlente plotësisht vetëm për ndeshjet e kombëtares, do të na duhej një shpenzim apo një investim i pamundur për buxhetin e shtetit. Ndërkohë që sot ne nuk nxjerrim asnjë lek nga buxheti i shtetit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se kjo, jo vetëm është skema e duhur, por se me të njëjtën duhen bërë edhe stadiumet e tjera në vend.

Top Channel