Islanda, fituese e Miss Euro 2016

01/07/2016 00:00

Islanda është fenomeni i këtij evropiani dhe jo vetëm në fushën e lojës apo në shkallët e stadiumit. Duket sikur oguri i mirë për vendin e mbi 100 vullkaneve ka ardhur nga një tjetër skenë, ajo e konkursit të bukurisë Miss Euro 2016 të zhvilluar në Europa Park në një nga parqet më të mëdhenj dhe më spektakolarë të Kontinentit të Vjetër.

Është pikërisht një bukuroshe nga vendi ishullor ajo që eklipsoi 23 kandidatet e tjera, përfaqësuese të të gjitha vendeve pjesëmarrëse në këtë Evropian.

Bëhet fjalë për Arna Ir Jonsdotir, 21 vjecaren që studion për mjeke-obstetër, por që ka pasion edhe sportin ku futbolli dhe kërcimi me shkop janë disiplinat e preferuara të saj.

Në Frajburg, bukuroshja islandeze i befasoi të gjithë ashtu sikurse bëri edhe skuadra e futbollit dhe la pas Miss Gjermaninë e Miss Portugalinë që plotësuan podiumin. Është pikërisht ajo që do të kërkojë t’u sjellë fatin djemve të Lagerback.

‘Është dicka e pabesueshme që një vend i vogël si Islanda pati këtë arritje të madhe-ishte deklarata e Miss Euro 2016-nuk mendonim që do të shkonim në Francë e për më tepër të arrinim në fazën e cerekfinaleve. Jemi bërë vendi më simpatik në Evropë dhe kjo i bën mirë shpirtit islandez’.

Është e pamundur të mos i japësh të drejte 21 vjecares Arna, ashtu sikurse është e pamundur të mohohet që kjo bukuroshe përbën një arsye më shumë për të shpresuar në një qëndrim sa më të gjatë në Evropian të Islandës së surprizave.

Top Channel