Kosovë, Veseli prej senatoren Ernst: Mbështetja nga SHBA, pasuri për vendin tonë

01/07/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli priti në një takim senatoren republikane nga Iowa, Joni Ernst, me të cilën diskutoi për arritjet dhe sfidat e institucioneve në Kosovë.

Veseli shprehu konsideratën më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të, duke e vlerësuar si të jashtëzakonshme, sidomos partneritetin civil-ushtarak me shtetin e Iowas.

Më tej, sipas komunikatës së Kuvendit të Kosovës, ai e njohu senatoren Ernst me agjendën legjislative, procesin nëpër të cilin po kalon shtetësia e Republikës së Kosovës, si dhe ndjeshmërinë e këtyre proceseve. Kryetari Veseli vuri në dukje se, institucionet janë të përkushtuara për sundimin e ligjit, rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe procesin e integrimit euroatlantik.

Senatorja Ernst përgëzoi kryeparlamentarin Veseli për arritjet e Republikës së Kosovës, duke inkurajuar dhe shprehur përkrahje për zhvillimet pozitive në vend dhe rajon. Në veçanti, ajo theksoi se Iowa është e përkushtuar për mbështetje në realizimin e agjendës ekonomike, si dhe për të ardhmen integruese euroatlantike.

Veseli theksoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është pasuri e veçantë e vendit dhe qytetarëve të Kosovës, e ndërtuar mbi vlerat e qëndrueshme për liri dhe demokraci, me interesim për thellimin e bashkëpunimit në fushat e veçanta si siguria, bujqësia dhe transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Top Channel