Basha: Hetim financave të Ramës, reagon Kryeministria

01/07/2016 00:00

Kreu i opozitës i kërkoi prokurorisë nisjen e hetimeve për të zbuluar lidhjen e Edi Ramës me financimin prej 80 mijë dollarësh që pagoi Bilal Shehu për financimin e fushatës së Barak Obamës. Një event nga i cili pati një fotografi të Edi Ramës me presidentin Obama.

“Unë sot dua t’i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorisë shqiptare që paralel me hetimet që po kryen FBI, të nisë menjëherë hetimet brenda juridiksionit shqiptar dhe sipas ligjit shqiptar për këtë rast të pastër të korrupsionit politik. Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh? Apo janë para ryshfeti e korrupsion? Cili është burimi i tyre? Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?”, u shpreh Basha.

Kryeministria reagoi menjëherë duke e quajtur këtë një manipulim mediatik, duke siguruar se Edi Rama nuk ka kryer asnjë pagese për të marre pjesë në një organizim elektoral të presidentit Obama.

“Bilal Shehu që sot po gjykohet në SHBA për çështjen në fjalë është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar  me delegacionin tonë në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”, shtoi më tej Basha.

Akuzat mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës kanë shkuar tek Reforma në Drejtësi.

“Ajo foto tregon shumë, tregon qartë mendësinë e Edi Ramës, për të cilin me paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit blihet gjithçka, qëndrohet mbi ligjin dhe mbi drejtësinë. Kjo foto është në të njëjtën kohë prova se në  SHBA drejtësia nuk mund të kapet nga Edi Rama, as të blihet e të shantazhohet nga ai. Drejtësia atje është drejtësia që nuk do Edi Rama. Drejtësia që do Edi Rama është drejtësia që shantazhohet prej tij si në rastin e skandalit, megaskandalit të përgjimeve ku sulmon gjyqtarët duke i quajtur “killer”.” theksoi Basha.

Por Edi Rama iu përgjigj me një pyetje, kur tha se, ndryshe nga Basha dhe Berisha, ai është gati që, nëpërmjet reformës, të heqë duart  e partive nga sistemi i drejtësisë.

“Edi Rama nuk ka frike nga drejtësia, nuk ka frikë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Drejtësisë, nuk ka frikë nga pavarësia e anëtarëve që do të bëjnë vetingun e gjykatësve e prokurorëve, po Lulëzim Basha me Sali Berishën pse i tremben faktit që ata që do të gjykojnë prokurorët dhe gjykatësit, do të përzgjidhen nga SHBA e BE?!”, shprehej kryeministri.

Lulzim Basha u përgjigj menjëherë duke i thënë kryeministrit se frikë nga drejtësia e pavarur ka ai që refuzon standardin e Venecias.

Top Channel