Presidencë në kohë të “Brexit”, Sllovakia merr drejtimin e BE

01/07/2016 00:00

Sllovakia merr në një moment të vështirë Presidencën e radhës së BE-së, kur sfidat e vendit për të menaxhuar një bllok pas daljes nga rreshti të Mbretërisë së Bashkuar, janë të mëdha.

Kryeministri Robert Fico hodhi idenë e mbajtjes së një samiti jozyrtar në kryeqytetin Bratislava, në muajin shtator, ku liderëve të 27 vendeve të mbetura anëtare t’iu jepet shansi për ta analizuar edhe një herë të ardhmen e Unionit.

Fico beson se Sllovakia mund ta ndihmojë Bashkimin Europian të kontrollojë drejtimin që do të marrë nga ky moment.

Në fillim të javës, ai iu drejtua pjesëmarrësve në takimin e Këshillit Europian në Bruksel me fjalët: Kushdo që beson se pas “Brexit”-t, ne mund t’i ofrojmë publikut europian pak a shumë të njëjtat gjëra, e ka gabim. Nëse samiti mbahet vërtet, do të jetë i pari i zhvilluar nga blloku që prej 2010-tës dhe pikë-rëndensën e tij me shumë gjasë, do ta përbëjnë vendet e Europës Qendrore e Lindore që iu bashkuan BE-së në 2004-ën.

Manovrat diplomatike kanë filluar. Ministri i Jashtëm sllovak Miroslav Lajcak u takua në prag të hënën me homologët e katërshes së Visegradit, e përberë nga Republika ceke, Sllovakia, Polonia dhe Hungaria, për bisedime post-Brexit.

Në takim morën pjesë edhe shefat e diplomacive gjermane e franceze. Një ditë më pas, Lajcak vizitoi Londrën ku takoi homologun britanik Philip Hammond. E përditshmja sllovake “Pravda” i mëshon fort faktit që ai u bë i pari ministër i një vendi të BE-së, i cili udhëton drejt Londrës pas votës për largim.

Lajcak sipas saj, është i bindur se eksperienca e Sllovakisë në menaxhimin e një divorci, falë shkëputjes paqësore nga Çekosllovakia në 1993-shin, mund të jetë një aset i vyer në këtë situatë. Barra që rëndon mbi shpatullat e saj megjithatë nuk është e lehtë. Kjo presidencë, thotë një pjesë e shtypit që vendasit, kanë nisur që tani të kthehen në makth për Ficon.

Top Channel