Pamjet e para të grabitjes në Rinas, 26 të shoqëruar. Hetimet te Krimet e Rënda

01/07/2016 00:00

Pamjet e kamerave të sigurisë në Aeroportin “Nënë Tereza” tregojnë dinamikën e ngjarjes së rëndë, që shkatërroi të gjithë sistemin e sigurisë, ndërsa 3 persona me maska e armë mundën të hyjnë e të dalin qetësisht nga pista e avionëve, pasi rrëmbyen një sasi të madhe parash.

Një person me veshje fosforeshente, të ngjashme me ato të punonjësve të aeroportit, ka hapur portën e shërbimit, e cila përdoret vetëm për futjen e mjeteve që furnizojnë avionët me karburant. Në derë duket që nuk ka pasur asnjë roje, as civil dhe as të armatosur, e për pak sekonda është prerë dryni i portës.

Prej andej nga hyrë një automjet tip Benz Mercedes ngjyrë vishnje, i cili ka ecur përgjatë regjimit të aeroportit, duke u ndalur në vendin ku automjeti po shkarkonte thasët me parà.

Dhjetë punonjës të kompanive të sigurimit dhe administratorët e tyre, përgjegjës për ruajtjen, janë shoqëruar nga policia. Ndalimet janë bërë nga Policia e Tiranës dhe ajo e Krujës, e cila është në varësi të Durrësit, ndërsa njoftohet se janë shoqëruar edhe 16 persona të tjerë të skeduar si kontingjentë të policisë, që jetojnë apo punojnë në zonën përreth.

Bubqi njihet si zonë e skeduar nga policia, jo thjesht për aktivitete kriminale, por edhe për fshehjen e personave me lidhje ekstremiste islamike.

Gjithashtu, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla kanë filluar hetimet edhe për drejtuesit e Policisë së Rinasit, pasi e masat e sigurisë së aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend, dy ditë pas ngjarjeve të Stambollit, rezultuan në nivel zero.

Hetimet për grabitjen e parave në pistën e Aeroportit të Rinasit i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa fillimisht u ndoqën nga Prokuroria e Krujës. Vendimi u mor nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi dyshohet se grabitja është bërë nga një grup i strukturuar kriminal.

Një prokuror i Krimeve të Rënda ishte në komisariatin e Policisë së Rinasit për të mbledhur dëshmi dhe prova. Gjithsesi fakt është se vjedhja rezultoi një skandal nga pikëpamja e sigurisë. Fati i vetëm është se 3 personat e Rinasit, ndryshe nga 3 personat e Stambollit, zgjodhën të enjten në pistën e aeroportit që pavarësisht se të armatosur, të jenë vetëm hajdutë dhe jo terroristë.

Top Channel