Aktori Russell Crowe, mesazhe kurajoje…Polonisë

01/07/2016 00:00

Polonia, e në mënyrë të veçantë Jakub Blaszczykowski, marrin mesazhe kurajoje nga një emër i madh i kinematografisë botërore pas eliminimit në Euro 2016.

Bëhet fjalë për Russell Crowe, protagonisti kryesor te “Gladiatori” e shumë filma të rëndësishëm europian. Aktori neozelandez, bëri të ditur se ishte një mbështetës i flaktë i skuadrës së Navalkës dhe pas humbjes së kësaj skuadre, nëpërmjet rrjetit social “Twitter”, ai dha mesazhin e tij.

“Fat i keq. Ishit gjenialë. Duhet të jini krenarë. Të duam Kuba, je një hero. Urimet më të mira Portugalisë”, lexohet në mesazhin e aktorit.

Crowe e ndoqi me shumë vëmendje ecurinë e Polonisë në këtë Europian, që ishte më e mira e kësaj skuadre në historinë e saj. Pas eliminimit të saj, aktori i famshëm ka deklaruar se tani ekipi i tij në Euro 2016 do të jetë Islanda.

I lindur në Zelandën e Re dhe i rritur në Australi, Crowe është një adhurues i madh futbolli dhe përpara një viti e gjysmë tentoi blerjen e klubit të Leeds, me të cilin u bë tifoz që kur ishte fëmijë.

Top Channel