Hodaj: Siguria në Rinas, përgjegjësi e privatëve. Policia s’ka akses

01/07/2016 00:00

Për Policinë e Shtetit cenimi i sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” erdhi si pasojë e neglizhencës së kompanisë private që mbikëqyr mjediset e brendshme dhe të jashtme.

Uniformat blu heqin përgjegjësinë nga vetja mbi grabitjen e gati 1 milionë eurove.

“Siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit, si dhe në sallën e kamerave CCTV e bën në mënyrë ekskluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë. Vet policia në bazë të kësaj marrëveshje e ka të rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aeroport”, u shpreh Ervin Hodaj, drejtor i Policisë së Tiranës.

Për konstatimet e mungesës së elementëve të sigurisë, policia i ka dërguar autoriteteve të aeroportit edhe disa shkresa zyrtare,  të cilat nuk janë marrë në konsideratë.

“Policia e Shtetit, me shkresë numër 457, dt 21/4/2014 i ka komunikuar autoritetet aeroportuar në lidhje me mangësitë e konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, veçanërisht sistemin e kamerave, pasi nuk mbulohej me monitorim i gjithë territori”, u shpreh Hodaj.

Ndërkohë në Rinas situata paraqitet e njëjtë. Dera nga hynë dhe dolën të qetë grabitësit, vetëm sa është mbyllur. Përveç një fugoni, asnjë polic apo ushtarak nuk rezulton të ruajë aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend.

Top Channel