Ndërtimi i kolonive, Kuarteti: Izraeli duhet t’i ndalojë

01/07/2016 00:00

Izraeli duhet të ndalë ndërtimin e kolonive, të mos pengojë zhvillimin palestinez dhe të mos përdorë tokën që palestinezët kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm vetëm për qëllime izraelite.

Kështu rekomandohet në një draft nga Kuarteti i Paqes në Lindjen e Mesme, i cili mund të jetë pjesë e një raporti që pritet me padurim.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, e cila mundi të shohë draft raportin, kuarteti i përbërë nga SHBA, Rusia, Bashkimi Europian dhe OKB, sugjeron se politika izraelite po eliminon pak e nga pak mundësinë e zgjidhjes së dy shteteve.

Mësohet se draft-raporti i është dorëzuar anëtarëve të kuartetit dhe pritet aprovimi i tij final. Diplomatët thonë se raporti ka një peshë të madhe politike, sepse mbështet edhe nga SHBA, aleati më i afërt i Izraelit. Draft raporti thotë se të paktën 570 000 izraelitë jetojnë në koloni, të cilat nga shumë vende cilësohen të jashtëligjshme.

“Izraeli duhet të ndalë politikën e ndërtimit të kolonive dhe përdorimin e tokës vetëm për qëllime izraelite duke ndaluar zhvillimin palestinez”, shkruhet në draftin e raportit.

Kolonitë izraelite janë pengesa kryesore e bisedimeve për paqen dhe palestinezët thonë se nuk do të ulen kurrë në tryezën e bisedimeve nëse nuk ndalon ndërtimi i tyre. Megjithëse shumë shtete, përfshirë perëndimore, i kanë cilësuar ato të jashtëligjshme, Izraeli vazhdon që të ndërtojë në territoret e pushtuara.

Top Channel