Pa asnjë fitore ne gjysmëfinale! Portugalia dërgon Poloninë në shtëpi vetëm pas penalltive

30/06/2016 00:00

Portugalia është gjysmëfinalistja e parë e Francë 2016 pavarësisht se ende nuk ka fituar një ndeshje brenda 90 minutave.  Përfaqësuesja e Fernando Santos mposhti 5-3 me 11 metërsha Poloninë e Lewandowskit e cila pavarësisht këtij rezultati ka hyrë në historinë e futbollit vendas si skuadra e parë që shkon deri në këtë fazë të një Europiani.

Polakët e nisën vrullshëm ndeshjen dhe kaluan shumë shpejt në avantazh. Lewandowski shënoi në minutën e 2, duke regjistruar golin më të shpejtë në “Francë 2016” dhe njëkohësisht të dytën më te shpejtë në historinë e kampionateve evropiane.

Portugezët e morën veten shpejt, filluan të dominonin lojën dhe të tregoheshin më të rrezikshëm. Në minutën e 33, talenti Sanches barazoi rezultatin me një gol jashtë zone.

Ritmi i lojës vazhdoi i lartë edhe në pjesën e dytë por të dyja skuadrat shpërdoruan disa mundësi shënimi gjatë 90 minutave. Kjo bëri që ndeshja të shkonte drejt shtesave. Lodhja bëri të sajën dhe kjo u vu re në këto 30 minuta, ku skuadrat filluan t’i besonin më shumë 11-metërshave.

Portugezët të udhëhequr nga Ronaldo u treguan perfektë pika e bardhë duke i shënuar të gjitha, ndërsa për polakët humbi Kuba Blaszczykowski.

Portugalia pret tashmë fituesin e çiftit Uells-Belgjikë për të njohur kundërshtarin e radhës, pas 3 barazimeve në grup, 1 fitore në kohë shtesë me Kroacinë dhe kalimit në gjysmëfinale me 11-metërsha ndaj Polonisë.

Top Channel