Nga Brexit…te Kuxit, shkolla nga Kukësi, letër Veliajt

30/06/2016 00:00

Çdo bashki e ka detyrim ligjor të mirëmbajë institucionet arsimore të fëmijëve për t’u krijuar atyre mjedise të përshtatshme, por gjen ende nxënës të moshave të ndryshme që janë të detyruar të mësojnë në kushte aspak të papërshtatshme.

Bashkitë nëpër rrethe duket se nuk kanë të njejtat prioritete me Bashkinë e Tiranës, ku prej një viti rregullisht shtohen ambiente të rikonstrukturuara për fëmijët.

Këtij tundimi për të pasur të tilla ambiente, nuk i kanë rezistuar nxënësit dhe mësuesit e fshatit Morinë në Kukës. Ata kërkojnë që shkolla e tyre të kalojë në juridiksionin e Bashkisë së Tiranës për të hyrë në radhë për rikonstruksion.

E kanë imituar edhe modelin “Veliaj” duke i kërkuar ndihmë bizneseve, siç u bë me çerdhet në Tiranë, por nuk u ka funksionuar, ndaj një javë më parë, duke anashkaluar kryetarin e bashkisë së tyre i kanë kërkuar ndihmë nëpërmjet një letre, të cilën e quajnë shoqërore, kryetarit të Bashkise së Tiranës, Erion Veliaj.

“Jemi një kolektiv i vogël mësues e nxënës në fshatin Morinë të Bashkisë Kukës, pikërisht aty ku bëhet prezantimi parë i vendit tonë me Kosovën  dhe rajonin. Kemi parë dhe dëgjuar për ndryshimet e thella e impresionuese që keni bërë e po bëni përditë. Kemi një objekt shkollor të amortizuar skajshëm, me tavolina, stola e karrige të vjetëruara, për të cilat na vjen turp të përdoren nga nxënësit dhe mësuesit. Mungojnë gjërat elementare për zhvillimin normal të mësimit, gjë që ndikon negativisht në edukimin e nxënësve. Lutemi konsiderojeni shkollën tonë si pjesë të juridiksionit tuaj”, thuhet në letër.

Top Channel