Mali i Zi, notë proteste Kosovës për veprimet e VV-së

30/06/2016 00:00

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Europian në Malin e Zi, gjatë kësaj të enjteje i ka dërguar një notë proteste Kosovës për vendosjen e flamurit të Shqipërisë dhe tabelës me mbishkrimet “Republika e Kosovës” dhe “Mirësevini”, nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në territorin e Malit të Zi.

Në notën e protestës, Podgorica i “tërheq vërejtjen Prishtinës” që në të ardhmen të ndalojë aktivitete të tilla, sepse me to po sfidojnë – siç thuhet, – marrëveshjen e arritur për përcaktimin e vijës kufitare të nënshkruar në Vjenë në vitin 2015.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të reagojë në lidhje me këtë çështje, e jo të struket e të shajë opozitën.

“Mali i Zi i merr Kosovës mbi 8 mijë hektarë territor. Qeveria jonë e lodhur e pranon pa hezitim. Mali i Zi është futur brenda territorit të Kosovës për të hequr tabelën e Republikës së Kosovës. Qeveria jonë e lodhur s’thotë asnjë fjalë. Mali i Zi dërgon notë proteste te qeveria, sepse disa deputetë të Republikës vendosën tabelën aty ku duhet të jetë. Qeveria jonë e lodhur struket dhe shan opozitën”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjerash në “Facebook”.

Top Channel