Kosovë, Aeroporti i Prishtinës edhe me fluturime për në Paris

30/06/2016 00:00

Programi i ri stimulues i lançuar nga “Limak Kosovo International Airport”, ka ndikuar në shtimin e frekuencave në linjat ekzistuese dhe zgjerimin e listës së destinacioneve nga Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, si dhe anasjelltas.

Në një njoftim nga ky aeroport thuhet se, duke filluar nga 2 nëntori i këtij viti, kësaj liste i shtohet edhe Aeroporti i Parisit “Charles de Gaulle”, linjë kjo që do të operohet nga kompania ajrore “Easy Jet”. Këto fluturime direkte për në Paris do të realizohen me aeroplanë të tipit “Airbus 319”, me frekuencë prej dy herë në javë, të mërkurave dhe të shtunave.

“Me anë të programit stimulues që u dedikohet kompanive ajrore, kemi arritur që brenda një kohe mjaft të shkurtër të shtojmë disa linja të reja ajrore dhe t’i forcojmë ekzistueset. Me formimin e këtyre lidhjeve, ne po tentojmë që t’u japim mundësi më të shumta udhëtarëve tanë, numri i të cilëve po rritet në vazhdimësi” , ka thënë drejtori i Përgjithshëm i Aeroportit “Adem Jashari”, Haldun Kokturk.

Kompania ajrore “Easy Jet”, përveç fluturimeve për në Bazel dhe Gjenevë nga Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, gjatë këtij viti kishte filluar edhe me fluturime për në Berlin, kurse prej nëntorit, qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë me fluturime direkte për në Paris.

Top Channel