Kosovë, Mustafa: Fuqizimi i rolit të gruas, zhvillim për vendin

30/06/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në konsultimet e nivelit të lartë rreth procesit të integrimit europian dhe barazisë gjinore, të organizuar nga Ministria e Integrimit Europian, Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se barazia gjinore nuk është çështje që i përket vetëm integrimit dhe agjendës europiane, por është e ndërlidhur ngushtë me agjendën e brendshme kosovare.

“Dëshirojmë që të ndërtojmë një shtet, i cili ka vlera të demokracisë së brendshme, ka vlera të barazisë gjinore dhe vlera të barazisë kombëtare, e në të cilin të gjithë qytetarët do të ndihen të barabartë pa marrë parasysh dallimet gjinore, etnike ose dallimet sociale”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa theksoi domosdoshmërinë e krijimit të kushteve të barabarta të qasjes së të gjithë qytetarëve në proceset zhvillimore, të arsimit, të kulturës, të punësimit e barazisë sociale.

“Ne konsiderojmë se pa gratë dhe vajzat ne s’mund të bëjmë asgjë në këtë aspekt. Jo vetëm nga fakti se gjysmën e popullsisë sonë e përbëjnë gratë, përkatësisht gjinia femërore, por edhe nga fakti se të gjitha studimet tregojnë se në vendet ku ka angazhim më të madh të gruas në proceset ekonomike dhe në proceset zhvillimore, ato vende janë më të zhvilluara, janë më kohezive, më inkluzive dhe kanë arritur që t’i zgjidhin problemet shumë më shpejt se sa në vendet tjera ku kemi ndryshime më të mëdha gjinore në pikëpamje të pjesëmarrjes në zhvillimin ekonomik dhe zhvillime tjera”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa foli më tej për proceset integruese europiane dhe mundësitë që hapin këto procese për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare. Mustafa foli po ashtu për hapat e bërë sa i përket harmonizimit të legjislacionit kosovar me atë europian në pikëpamjen e barazisë gjinore. Duke folur për përfaqësimin në institucione, kryeministri Mustafa theksoi se duhet të rritet pjesëmarrja e gruas në qeveri edhe në institucione e tjera qeveritare.

Top Channel