Basha reagon pas grabitjes në Rinas

30/06/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar grabitjen e Rinasit duke e cilësuar atë si “rënie të rendit dhe shtetit”.

“Grabitja e armatosur sot në Rinas, në atë që duhej të ishte territori më i sigurtë në vend, dëshmon se rendi ka rënë, se shteti ka rënë. Persona me armatim të rëndë e më maska, shkojne deri tek pista e avionëve, grabisin paratë, vetëm një ditë pasi u deklarua se në Aeroportin e Rinasit janë përforcuar kontrollet në kuadër të masave kundër terrorizmit, pas sulmeve në Stamboll”, thotë Basha.

“Ku janë cubat e Tahirit, apo me siguri duke ruajtur parcelat me kanabis të Habilajve për llogari të shefit, duke kundruar udhëtimin e skafeve me drogë që kane pushtuar Jonin dhe Adriatikun, duke përgjuar në mënyrë të paligjshme e shantazhuar gjyqtarë e prokurorë, duke dhunuar e gjobitur qytetarë e biznesmenë apo duke arrestuar gra dhe pleq për kuponin e një kilogrami qepë, apo 2000 lekë drita të papaguara”, shton më tej kreu i PD.

“Kjo ngjarje e rëndë, që ka shkallmuar çdo standard të sigurisë, është një akuzë direkte për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën. Në pushtetin e tyre, krimi s’ka kufij, ka mbrojtje, ka liri. ?‎Shqipëria, më mirë pa Edi Ramën”, mbyll reagimin e tij, Lulzim Basha.

Top Channel