Atje ku u frymëzua Don Kishoti

30/06/2016 00:00

Historia e kalorësit legjendar dhe idealist, i njohur nga lexuesit si “Don Kishoti i Mançes” renditet ndër librat më të pëlqyer të të gjitha kohërave në të gjithë botën. Por, pakkush mund të dijë se kanë kaluar më shumë se 4 shekuj, që nga koha kur Miguel Cervantes shkroi kryeveprën e tij.

Vendet ku ai kaloi ditët e tij duke ëndërruar personazhet e veprave, që nga Madridi, Siçilia, Napoli e deri në Algjeri, fotografi Jose Manuel Navia i sjell për publikun shqiptar në 50 foto, në ekspozitën e çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve.

“Unë e përdor imazhin si dokumentar poetik. Vendet ku ka jetuar Cervantes i kam marrë si pikënisje për të reflektuar. Secili prej nesh mund të fillojë të mendojë për jetën e për botën, në të cilën jetojmë sot. Cervantes është shumë aktual, sepse ‘Don Kishoti’ e ‘Sanço Panço’ simbolizojnë dualizmin mes ideales dhe realitetit, një përfaqësim tipik i shoqërisë moderne sot”, tha Jose Manuel Navia, fotograf.

Plot 400 vite më parë, pikërisht në vitin 1605 nisën aventurat e mullinjve të erës, Sanço Panços e personazhit kryesor Don Kishoti, në nder të të cilit, fotografi e personazhi i vërtetë Miguel Cervantes ka mbetur shpeshherë në hije. Figura “donkishoteske”, protagoniste e krijimit të tij letrar, do ta shoqëronte atë kudo, aq sa dallimi mes autorit dhe protagonistit do të ishte i vështirë.

“Don Kishoti është i pranishëm në këto foto, sepse para se të nisja këtë projekt jam marrë specifikisht me studimin e kësaj figure, me terrenin ku u krijua ai. Cervantes, në veprat e tij ka folur për personazhe që i ka njohur realisht, ndaj jeta e autorit shkrihet edhe në veprat e tij”.

Ekspozita “Dëshira për të jetuar” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 28 korrik.

Top Channel