Ankth në familjen e kapitenit, asnjë informacion nga marinari Dhimitër Malja

30/06/2016 00:00

Ankthi është i fortë në familjen e kapitenit të peshkarexhës “Çelepia 2”. Familjarët e tij ende presin që autoritetet të tregojnë se ku ndodhet ai.

Bashkëshortja e Dhimitrit është në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa i biri tregon se ajo që e mban është vetëm parandjenja se i ati është mirë.

“Kam ndjesinë se babai është mirë, por tani nuk e di më shumë. Me fjalët që kanë thënë nuk ka shpresa fare, por unë ndjej që është mirë”, shprehet Damian Malja, i biri i kapitenit.

Në Aleksandri është gjetur vetëm marinari Luan Mema, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë për kapitenin e anijes. Fotoja e Luan Memës në ambientet e policisë së qytetit të Aleksandrisë në Egjipt e ka qetësuar nënën dhe gruan e tij.

“Thash se më iku goca. Mirë që kisha një hall, por gati më iku dhe tjetra. Shteti të vërë dorë në këtë rast. Ne nuk kemi mundësi të paguajmë biletën që të vijë luani”, thotë Shpresa Mema, e ëma e marinarit Luan Mema.

Babai dhe nëna e Luanit kërkojnë ndihmë që shteti të pajisë me dokumente dhe ta sjellë në shtëpi djalin e tyre, i cili u bë pre e një pengmarrje. Marinari egjiptian qe realizoi pengmarrjen është arrestuar dhe kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Top Channel